Mbrëmë, vendi ku po punohet për ndërtimin e urës së re për këmbësorë mbi Ibër, pranë “Tre Rrokaqiejve” në Mitrovicë, u vërshua nga uji.
Sipas Faruk Mujkës, drejtor i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, kjo ndodhi për shkak të rritjes së nivelit të ujit në digën e Pridvoricës pas reshjeve të shumta ditëve të fundit, si dhe me rrëshqitjen e kanalit te Zubin Potoku, që sipas tij, detyroi drejtimin emergjent të ujit në lumë.
Mujka theksoi se, pavarësisht dëmeve materiale, konstruksioni i urës nuk ka qenë i rrezikuar, ndërsa shton se ky rast nuk është shkaktuar nga faktori njeri, por që sipas tij, dora e njeriut ka ndihmuar në minimizimin e dëmit të mundshëm.
Tutje, ai bëri të ditur se niveli i ujit u stabilizua brenda një ore dhe punimet për sanimin e kanalit kryesor vazhdojnë për të mbajtur ujin nën kontroll.
“Ky rast të mos përdoret as për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka fare të bëj me to. Është thjeshtë çështje operacionale. Andaj edhe deklarimet të jenë të balancuara e posaçërisht nga operatori ekonomik për të cilin nga fillimi i korrikut e kemi përgatitur planin e punës sonë pa marr parasysh nevojat reale dhe humbjet financiare të ndërmarrjes sonë. Me siguri se edhe ai ka pjesën e vetë të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes”, u shpreh Mujka.





