U.d. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, po merr pjesë në “EU–Western Balkans Ministerial Forum on Justice and Home Affairs” që po mbahet në Bosnje dhe Hercegovinë, ku po marrin pjesë ministrat e drejtësisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, u.d.ministri Sallahu theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai vlerësoi se reformat në drejtësi në Kosovë po japin rezultate të matshme dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Në vijim, ministri Sallahu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të thelluar me Eurojust, Europol dhe Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), në mënyrë që rastet ndërkufitare të trajtohen në mënyrë efikase dhe të harmonizuar me standardet evropiane. Ai theksoi se Kosova e konsideron forcimin e sundimit të ligjit si mision nacional dhe bazë të zhvillimit demokratik, sigurisë dhe integrimit evropian të vendit.
Në këtë forum, ministrat e drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor po diskutojnë mbi përparimin në sundimin e ligjit, bashkëpunimin gjyqësor dhe sigurinë, në kuadër të agjendës së integrimit evropian të rajonit.




