Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se “nuk do t’u jap para kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”.
Në një komunikatë për media, Bordi i AKK-së ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për gjuhën e përdorur nga Kurti, të cilën e kanë cilësuar si “fyese dhe paragjykuese” ndaj kryetarëve të komunave të zgjedhur me votë të lirë nga qytetarët e Kosovës.
AKK thekson se asnjë kryetar komune nuk është nën aktakuzë për vjedhje që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, ndërsa përmend se në nivelin qendror ka zyrtarë me aktakuza, përfshirë këtu ministra dhe zëvendësministra.
AKK thotë se ndarja e buxhetit për komunat është e rregulluar me ligj dhe nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime politike apo elektorale, duke akuzuar se investimet kapitale shpesh janë bërë mbi baza partiake e jo sipas kritereve ligjore.
Në fund, Asociacioni i Komunave të Kosovës bën thirrje për respekt institucional, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërmjet niveleve të qeverisjes, në funksion të forcimit të demokracisë lokale.




