Seancat e parapara për këtë javë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë anuluar.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë bërë të ditur se seancat janë anuluar për arsye logjistike.
Seancat e radhës pritet të mbahen të hënën e 10 nëntorit, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas një parashtrese të mbrojtjes së Thaçit, ky dëshmitar ishte planifikuar të dëshmonte më 15 shtator në vend të James Rubin.
Sipas tyre, dëshmia e tij është dashur të shtyhet vazhdimisht për shkak të çështjeve që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes.
Mbrojtja ka thënë se nëse dëshmitari që është planifikuar të dëshmojë më 3 nëntor 2025 nuk dëshmon, atëherë nuk ka asnjë dëshmitar të disponueshëm për këtë javë.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë.
Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.




