Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, padinë për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, që lidhet me miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Në padinë e dorëzuar, AVONET kanë theksuar se Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me dispozitat e Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë kompetencat e saj vetëm në çështje të domosdoshme administrative.
Organizata vlerëson se miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore përbën tejkalim të kompetencave dhe shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve, duke pasur parasysh se disa anëtarë të kabinetit qeveritar janë njëkohësisht deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ky veprim, sipas AVONET, synon mbrojtjen e rendit kushtetues, ndarjes së pushteteve dhe integritetit institucional, duke siguruar që proceset buxhetore të zhvillohen në përputhje me mandatet legjitime dhe parimet demokratike të Republikës së Kosovës.




