Këshilltarja e Presidentes Osmani, Donika Kadaj-Bujupi ka reaguar ndaj deklaratës së mbrëmshme të deputetës së LDK-së, Hykmete Bajrami e cila tha se LDK ka rënë në 12% për faj të Vjosa Osmanit.
Kadaj-Bujupi përmes një postimi në Facebook shkruan se nuk i duket normale që një deputete e Kuvendit të Kosovës, të mos i duket problem lista serbe, e ndërsa ta sulmojë Presidenten “pa asnjë motiv racional”.
Tutje Kadaj-Bujupi thotë se po ju shkoi mendja për betejë me Presidenten, të mos ankohen për rezultatet më pas, pasi edhe 12 % do ju duket i mire.
“Vetëm urrejtja patologjike mund të verbojë dikë kaq shumë sa që me dhjetëra herë t’i referohet Kreut të Shtetit vetëm me ‘Vjosa Osmani’ e jo si Presidente, logjikë kjo që e shohim vetëm në mediat e Serbisë. Presidentja Osmani nuk është person privat, por Presidente e Republikës së Kosovës që para se të zgjedhet nga Kuvendi mori bekimin e mbi 300 mijë votave të popullit të Kosovës. Këtë besim e mori sepse mbrojti të vërtetën dhe dinjitetin shtetëror”, shkruan Kadaj-Bujupi.




