Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Suharekë është në fazën përmbyllëse të trajnimeve për anëtarët e këshillave të vendvotimeve, në kuadër të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Sipas njoftimit nga KKZ Suharekë, qëllimi i këtyre trajnimeve është sigurimi i një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe efikas, duke u siguruar që të gjitha procedurat zgjedhore të respektohen në përpikëri në ditën e votimit.
Trajnimet po zhvillohen në përputhje me udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfshijnë elemente si menaxhimi i vendvotimeve, procedurat e verifikimit të votuesve, numërimi i votave dhe raportimi i rezultateve.
Zyrtarë të KKZ-së kanë theksuar se të gjitha përgatitjet po ecin sipas planit dhe se janë duke u marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar një proces të qetë dhe demokratik në të gjitha vendvotimet e komunës së Suharekës.




