Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pavarësisht se një nga kandidatët për kryetar komune të Kllokotit ka njoftuar për tërheqjen nga gara, në këtë komunë do të mbahet rundi i balotazhit.
Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” njoftoi më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe, parti nga e cila ka qenë kundërkandidati i tij në zgjedhjet lokale në Kllokot dhe është tërhequr nga gara e 9 nëntorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i tha Radios Evropa e Lirë se tërheqja e një kandidati nga procesi zgjedhor në këtë fazë “nuk ndikon në mbajtjen e garës zgjedhore”.
“Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi në një përgjigje me shkrim.




