Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka shënuar nisjen zyrtare të fushatës për balotazhin e 9 nëntorit, duke e quajtur atë rrugën drejt fitores së madhe të punës, besimit dhe përvojës.
Krasniqi ka theksuar se PDK garon në gjashtë komuna me kandidatë të dëshmuar dhe me programe konkrete: Shaqir Totaj në Prizren, Arian Tahiri në Mitrovicë, Ferit Idrizi në Vushtrri, Sabedin Vishi në Kaçanik, Sokol Bashota në Klinë dhe Shaban Shabani në Dragash.
Kreu i PDK-së ka vlerësuar punën e kryetarëve aktualë nga radhët e partisë, duke theksuar se ata kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme edhe pa mbështetjen e nivelit qendror.
“Balotazhi i 9 nëntorit është një mundësi për vazhdimin e shembullit më të mirë të qeverisjes lokale që PDK e ka vendosur si standard në Kosovë, kudo që ka qeverisur”, ka shtuar Krasniqi.
Ai ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatëve të PDK-së, duke theksuar se 9 nëntori është “dita e qytetarëve, dita e vlerave dhe dita e fitores”.





