Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat, ose të paktën njërën prej tyre, kur flet për Serbinë”.
Picula tha se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
Ai shtoi se Vuçiç për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.




