Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V., i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka njoftuar policia.
Për këtë ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla ka deklaruar se Serbia po cënon hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it, siq thotë ai duke frikësuar dhe përndjekur qytetarët që nuk i binden regjimit të Vuçiqit.
“Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit”, shkruan Sveçla.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, ka theksuar se faktori ndërkombëtar duhet të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë.




