Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha të hënën se refugjatët sirianë që jetojnë në Gjermani duhet të kthehen në vendin e tyre, pasi sipas tij “lufta ka mbaruar” dhe ka paralajmëruar se ata që refuzojnë, mund të përballen me deportim.
Në komentet e tij të fundit mbi migracionin, Merz theksoi se nuk ka më arsye që sirianët të qëndrojnë në Gjermani pas përfundimit të luftës civile 13-vjeçare në Siri.
Deklaratat e kancelarit erdhën pas komenteve të ministrit të Jashtëm gjermam, i cili gjatë një udhëtimi në Damask javën e kaluar tha se kthimi i refugjatëve është “shumë i kufizuar” për shkak të shkatërrimit të infrastrukturës në vend.
Këto deklarata shkaktuan reagime të forta brenda Unionit Kristian Demokratik, partisë konservatore të Merz, e cila po përpiqet të ruajë pozicionin e saj në debatin e nxehtë për migracionin, pa i lënë hapësirë partive të ekstremit të djathtë.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth një milion sirianë jetojnë aktualisht në Gjermani, shumica prej të cilëve kanë ardhur gjatë valës së madhe të refugjatëve në vitet 2015–2016.




