Një sulm i dronëve me rreze të gjatë të veprimit nga pala ukrainase ka goditur një fabrikë industriale brenda territorit të Rusisë rreth 1 300 kilometra larg kufirit ukrainas, sipas autoriteteve lokale ruse.
Guvernatori i rajonit Bashkortostan, Radiy Khabirov, njoftoi se dy dronë kishin shënjestruar një objekt industrial në qytetin Sterlitamak, por u rrëzuan nga mbrojtja ajrore – dhe se nuk është raportuar viktimë. Fabrika, që prodhon gomë dhe karburant për aviacion, “vazhdon punën normalisht”.
Administrata lokale, megjithatë, deklaroi se pati një shpërthim në impiantin e trajtimit të ujërave në uzinën petrokimike të Sterlitamakut, që çoi në shembjen e pjesshme të tij. Shkaku i shpërthimit mbetet i paqartë.
Ndërkohë, në rajonin e Nizhny Novgorod Oblast, mediat raportuan shpërthime pranë një rafinerie dhe fabrike petrokimike, rreth 800 km nga kufiri me Ukrainën autoritetet ruse ende nuk kanë bërë konfirmim zyrtar për këto incidente, raporton AP.
Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjatë natës u rrëzuan 85 dronë ukrainas në disa rajone, përfshirë Bashkortostanin dhe Nizhny Novgorodin.
Nga ana ukrainase, raportohet se Rusia ka bombarduar rajonin e Dnipropetrovsk Oblast gjatë natës me dronë, raketa dhe artileri, ku humbi jetën një person dhe u plagosën 11 të tjerë, përfshirë dy fëmijë.




