Pas ndalimit të importit nga Italia, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka vendosur të ndalojë importin e shpezëve dhe produkteve të tyre edhe nga Hungaria, për shkak të përhapjes së sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve) në këtë vend.
Në njoftimin e së mërkurës, AUV bazohet në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisionit Evropian të datës 4 nëntor 2025, ku konfirmohet prania e virusit HPAI–H5N1, me patogjenitet të lartë, në fermat komerciale dhe tek shpezët e egra në zonat Jasz, Nagykun dhe Szolnok të Hungarisë.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Kosovë, AUV ka vendosur të ndalojë importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre me origjinë nga zonat e infektuara të Hungarisë. Përjashtim bëjnë rastet kur ato vijnë nga ferma të paprekura, të cilat ndodhen të paktën 50 kilometra larg zonave të prekura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të ri të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV-ja.
Institucioni bën të ditur se po vazhdon monitorimin e situatës epidemiologjike dhe bashkëpunimin me agjencitë vendore e ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e virusit.




