Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar disa vendime që lidhen me përgatitjet për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ ka akredituar 8,049 vëzhgues nga shtatë parti politike të cilat garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Gjithashtu u akredituan edhe vëzhgues të organizatave të ndryshme joqeveritare dhe përfaqësive diplomatike, të cilat do të kenë mandat për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ vendosi edhe për akreditimin e përfaqësuesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare, që do të raportojnë drejtpërdrejt nga qendrat e votimit dhe do të ndjekin zhvillimet gjatë ditës së zgjedhjeve.
Gjatë mbledhjes, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ngriti një shqetësim në lidhje me vonesat e fletëvotimeve që po raportohen nga disa qytetarë të Kosovës që jetojnë në vendet skandinave, kryesisht në Norvegji.
Këtij shqetësimi i’u bashkangjit edhe anëtari tjetër i LVV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi edhe një raport të detajuar për këtë situatë.




