Nën udhëheqjen e kryesuesit, z. Arian Gashi, sot është mbajtur takimi i radhës i Komisionit për Çështje Normative të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në të cilin janë trajtuar çështje me rëndësi të veçantë për avancimin e kornizës rregullative dhe për funksionimin efikas të sistemit prokurorial në vend.
Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit: z. Bahri Hyseni, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe z. Ilir Morina, prokuror në Prokurorinë Speciale, si dhe z. Visar Krasniqi, anëtar i KPK-së, z. Sami Istrefi, Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së dhe znj. Margarita Gjocaj, sekretare e Komisionit.
Gjatë mbledhjes, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi procesverbalet e takimeve të mëparshme, të mbajtura më 26 shtator dhe 30 tetor 2025.
Në vijim, u zhvillua një diskutim gjithëpërfshirës lidhur draftet e 7 rregulloreve dhe shtojcave përkatëse, të përgatitura nga grupet punuese të themeluara nga Komisioni, që burojnë nga Ligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat u miratuan me komentet dhe ndryshimet e propozuara gjatë këtij takimi.
Komisioni theksoi rëndësinë e rishikimit dhe përshtatjes së akteve nënligjore me dispozitat e reja ligjore, në mënyrë që të sigurohet një zbatim unik dhe i qartë i normave që rregullojnë veprimtarinë e organeve të KPK-së, si dhe të përforcohet integriteti institucional dhe profesionalizmi në sistemin prokurorial.
Në përfundim të takimit, anëtarët e Komisionit u pajtuan që draftet e miratuara në këtë fazë të diskutohen edhe në instancat e tjera të sistemit prokurorial, në mënyrë që të pranohen komentet eventuale para se të publikohen për dëgjim publik në faqen zyrtare, në përputhje me procedurat e brendshme të miratimit të akteve normative.




