Sot është bërë përurimi i “Dhomës mike”, në stacionin policor Zveçan, e cila synon të krijojë një ambient të sigurt, të rehatshëm dhe mbështetës për viktimat e dhunës në familje gjatë procesit të intervistimit, donacion ky i KFOR-it, përfaqësues të lartë të së cilës forcë ishin të pranishëm në ceremoni.
Përveç tyre në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri dhe eprorë nga stacioni policor në Zveçan.
“Në një fjalë rasti, stafi komandues nga Drejtoria Rajonale falënderuan KFOR-in për mbështetjen dhe donacionin për mobilimin e “Dhomës mike”, e cila do të ofrojë kushte optimale për intervistimin dhe akomodimin e përkohshëm të viktimave të dhunës në familje, veçanërisht për gratë dhe fëmijët”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e KFOR-it kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje dhe realizimin e projekteve të tjera në të ardhmen.
Policia thotë se ky investim është i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e një ambienti të përshtatshëm për viktimat e dhunës në familje.
“Dhoma mike” është një hapësirë e renovuar dhe e pajisur me mobilie, kënde të posaçme dhe lodra për fëmijë, që synon të krijojë një ambient të sigurt, të rehatshëm dhe mbështetës për viktimat e dhunës në familje gjatë procesit të intervistimit dhe akomodimit të përkohshëm”, thotë Policia e Kosovës.





