Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mirëpret vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian në Raportin 2025, i cili konfirmon se sektori financiar ka ruajtur qëndrueshmëri të lartë, kapitalizim të mjaftueshëm dhe avancim të dukshëm në harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Raporti thekson se bankat në Kosovë operojnë me nivele të larta kapitali dhe likuiditeti, ndërsa kreditë joperformuese mbeten në nivel minimal historik. Vlerësohet gjithashtu miratimi i rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit dhe planit për zbatimin e SREP, në përputhje me udhëzimet e EBA-s.
Krahas vlerësimeve pozitive, KE rekomandon avancimin e mbledhjes së të dhënave financiare, zhvillimin e kornizës për rimëkëmbjen bankare dhe përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar.
BQK riafirmon përkushtimin për të vazhduar reformat dhe përafrimin e plotë me acquis të BE-së, duke falënderuar Komisionin Evropian për vlerësimin dhe bashkëpunimin.




