Pasi që me datë 5 nëntor, rreth orës 21:50, policia ka marrë informacione për një grumbullim të dyshimtë të automjeteve në parkingun e një pike karburanti në dalje të autostradës Prizren Veri, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar organizimin e garave ilegale të shpejtësisë.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) ka ndërhyrë me shpejtësi në vendngjarje dhe ka ndërmarrë këto veprime:
•Janë shoqëruar 6 drejtues automjetesh së bashku me veturat e tyre në Stacionin Policor.
•Secilit prej tyre i është shqiptuar një gjobë prej 150 eurosh dhe ndalim i drejtimit të mjetit për një periudhë prej 1 muaji, për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
•Patrullat e autostradës dhe të Stacionit Policor Prizren Veri kanë vazhduar patrullimin në zonë për të parandaluar çdo tentim të organizimit të garave dhe për të garantuar sigurinë në komunikacion.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke reaguar me efikasitet ndaj çdo veprimtarie që rrezikon jetën e qytetarëve dhe sigurinë rrugore.




