Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është takuar në Athinë me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, dhe Sekretarin amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum.
Takimet u mbajtën në kuadër të punimeve të Samitit të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), një nismë strategjike që synon forcimin e bashkëpunimit energjetik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.
Në një video-mesazh nga Athina, Zv.Kryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në fushën e energjisë, duke vlerësuar mesazhin e Sekretarit Wright si një vizion frymëzues për të ardhmen energjetike të Europës.
Ajo shtoi se prania e Sekretarit Amerikan të Punëve të Brendshme, Doug Burgum, në këtë samit tregon qartë rolin thelbësor që energjia luan jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në sigurinë globale.




