Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, në hapjen e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, vlerësoi se kjo ngjarje po bëhet traditë e bukur kulturore, që po e afirmon krijimtarinë e artistëve dhe po nxjerr talentë të rinj në skenë.
Në një shënim të tij, kryetari Basha tha se dy edicionet paraprake kanë qenë të shkëlqyeshme, dhe si të tilla kanë vendosur standard të lartë.
Ky festival, theksoi kryetari Basha tregon se transmetuesi publik, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është i aftë të prodhojë ngjarje të mëdha kulturore me forcat e veta, duke bashkuar traditën e pasur artistike shqiptare dhe energjinë e re krijuese të artistëve tanë të rinj.
Po ashtu, kryetari Basha tha se standardi i lartë artistik dhe organizativ që po dëshmohet nëpërmjet këtij festivali është argument tjetër i fuqishëm se Republika e Kosovës e meriton të jetë sa më parë pjesë e Festivalit Evropian të Këngës – Eurovision.
Kryetari Basha uroi gjithë artistët pjesëmarrës dhe përgëzoi organizatorët, si dhe ekipin e RTK-së për organizimin e këtij festivali.




