Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do të jetë dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit në procesin gjyqësor në Hagë.
Kjo është bërë e ditur në konferencën e përjavshme për media nga zyrtarët e Gjykatës Speciale, të cilët kanë treguar se mbrojtja e Thaçit ka edhe tre dëshmitarë për të ftuar, përfshirë edhe gjeneralin Clark.
“Mbrojtja e Thaçit ka thirrur katër dëshmitarë deri më sot, dhe sipas parashtrimeve publike aktuale, synon të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në kuadër të paraqitjes së provave të saj”, thanë zëdhënësit e Speciales.
Në dokumentin e publikuar, është bërë e ditur se Clark ka marrë miratimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dëshmuar në Hagë.
Sipas mbrojtjes, dëshmia e gjeneralit amerikan pritet të fillojë më 19 nëntor.
Mbrojtja ka kërkuar që, në rast nevoje, seanca të vazhdojë edhe më 21 nëntor, për të përfunduar dëshminë e gjeneralit amerikan.
Në parashtrimet e saj, mbrojtja ka treguar edhe temat që do të përfshijë dëshmia e Clarkut.




