Vetëm edhe një ditë kohë kanë votuesit jashtë Kosovës që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë, në komunat që janë në balotazh.
Ky proces që nisi më 27 të muajit të shkuar do të përmbyllet nesër, një ditë para se në Kosovë të hapen qendrat e votimit, të dielën e 9 nëntorit.
Gjithashtu, KQZ-ja u ka bërë thirrje votuesve jashtë Kosovës të cilët ende nuk kanë pranuar pakon e tyre me fletëvotim, që të kontrollojnë kutitë e tyre postare.
Periudha e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave vlen vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që ishin regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim nga 23 korriku deri më 29 gusht.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se në votimin jashtë Kosovës për votim me postë, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së.
“Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ”, ka njoftuar ky institucion.




