Në Qendrën Klinike të Tuzllës të enjten në mbrëmje ka ndërruar jetë një person tjetër, duke e çuar numrin e të vdekurve në 13 nga zjarri që më 4 nëntor kaploi shtëpinë e pleqve në Tuzlla, Bosnjë dhe Hercegovinë.
Kjo u bë e ditur të premten mëngjesin e 7 nëntorit nga ky institucion shëndetësor.
Nga Prokuroria e Kantonit të Tuzllës u bë e ditur më 6 nëntor se hetimi në vendngjarje ka përfunduar dhe se ky institucion do t’i dorëzojë raportet në periudhën e ardhshme Sektorit të Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij kantoni.
“Rreth shkaqeve të zjarrit do të informojmë publikun pasi të analizohen raportet dhe gjetjet e ekspertëve dhe hetuesve”, tha prokuroria në këtë katon.
Në Tuzlla janë shpallur katër ditë zie, drejtori i shtëpisë së pleqve në Tuzlla, Mirsad Bakalloviq, dha dorëheqjen më 5 nëntor.
Kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, premtoi ndihmën e Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për kujdesin e personave të vendosur në shtëpinë e pleqve.




