Hetuesit e IPK-së janë njoftuar mbrëm nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përshirë një zyrtar policor — jashtë detyrës zyrtare.
Aksidenti raportohet se ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren ku një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare duke qarkulluar me veturën private ka shkaktuar aksident trafiku me pasoja fatale duke goditur një këmbësor i cili fatkeqësisht ka humbur jetën.
Në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante policore dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se drejtuesi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë e drejtimit të mjetit me kushtet e rrugës duke shkaktuar aksidentin.
Lidhur me këtë rast është iniciuar rast penal lidhur me veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, kurse i dyshuari (zyrtari policor) është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.




