Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror Zgjedhor, ka pasur një përplasje mes anëtarëve të LVV-së dhe PDK-së për çështjen e votimit me asistencë dhe personave analfabetë.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka akuzuar PDK që ka instaluar në Kosovë “trenin bullgar (një metodë illegale e përdorur për manipulim të votave)” duke e quajtur tani “tren kosovar”, përmes keqpërdorimit të votave me asistencë.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, theksoi se çdo votim me asistencë duhet të mbështetet në dokumentacion zyrtar.
Anëtari tjetër i LVV-së, Alban Krasniqi, tha se në vazhdimësi ka pasur vjedhje të vullnetit të qytetarëve duke keqpërdorur formën e votimit me asistencë dhe fton prokurorinë që të marrë masa për këtë çështje.
Anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, reagoi duke thënë se edhe ai e fton prokurorinë të merr masa dhe shtoi se ka dokumente që mund të merren në institucione që dëshmojnë që personi nuk di shkrim dhe lexim.
Krasniqi e kundërshtoi këtë që tha Gashi sepse sipas tij, në Kosovë ka institucione që personat që dyshojnë që janë analfabetë mund të shkojnë të mësojnë shkrim dhe lexim.
Kurteshi në anën tjetër tha se qëllimi i votimit me asistencë është “me vjedh vota”, duke e krahasuar këtë veprim si “vrasje me pagesë”
Ndërkaq anëtari tjetër i PDK-së, Arianit Elshani, tha se statistikat dhe analizat për këtë çështje janë miratuar dhe ligji aktual e trajton ndryshe.




