Inspektorati Policor i Kosovës publikoi sot raportin e inspektimit për “Administrimin e automjeteve të sekuestruara” dhe atë për “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Mitrovicë (Jugu)”
IPK respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar sot dy raporte të inspektimit. Njëri raport i inspektimit të jashtëzakonshëm ka mbuluar fushën “Administrimi i automjeteve të sekuestruara” kurse raporti i inspektimit të rregullt ka mbuluar “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Mitrovicë-Jugu” .
Inspektimi i parë është realizuar për të vlerësuar praktikat e administrimit të automjeteve të sekuestruara, si mjete në kryerjen e veprave penale. Inspektimi ad hoc ka ofruar mundësi për të vlerësuar respektimin e rregullave dhe procedurave, si dhe praktikat e ruajtjes së automjeteve të sekuestruara.
Objektivat e këtij inspektimi kanë qenë: vlerësimi i respektimit të rregullave-procedurave të administrimit të automjeteve, vlerësimi i kushteve për ruajtjen e automjeteve të sekuestruara, si dhe identifikimi i keqpërdorimeve, apo dëmtimeve të automjeteve të sekuestruara.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin e lartë drejtues dhe mbikëqyrës, personelin hetimor dhe atë mbështetës.
IPK në kuadër të Raportit ka dhënë nëntë (9) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e hartimit të një Udhëzuesi për veprimet dhe procedurat e administrimit të automjeteve të sekuestruara, përmirësimit të kushteve fizike dhe të sigurisë në lokacionin ku mbahen ato, ndarjen e qartë të përgjegjësive në ofrimin e shërbimeve të sigurisë.
Rekomandimet e tjera përfshijnë edhe aplikimin e procedurave të pranimit – dorëzimit të automjeteve dhe evidentimit të lëvizjes së tyre, mbajtjes së regjistrit të azhurmuar të automjeteve të sekuestruara, realizimit të inventarizimit të rregullt, aplikimit të formave standarde të evidencave për gjendjen ekzistuese fizike të automjeteve, etj.




