Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Osmani e ka vlerësuar Turqinë si mike e Kosovës.
Gjatë takimit Presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.





