Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka akuzuar autoritetet serbe për bllokimin e qëllimshëm të fondeve të dedikuara nga Qeveria e Kosovës, duke e cilësuar këtë si sulm ndaj përfaqësimit institucional dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë.
Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës ka reaguar ashpër pas konfirmimit nga Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, Besnik Bislimi, se fondet e destinuara për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë janë bllokuar qëllimisht nga autoritetet serbe.
“Mjetet e bllokuara në vlerë prej 304,511.16 euro kanë qenë të dedikuara posaçërisht për KKSH-në, sipas kërkesës sonë zyrtare dhe vendimit të rregullt të Qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë që 35,448 tekste shkollore janë shpërndarë dhe 3,650 nxënës tashmë po i përdorin ato në shkolla, pagesa përkatëse është refuzuar tri herë radhazi nga banka pranuese në Serbi, pa asnjë arsye ligjore apo teknike.”thuhet në reagim.
Tutje Këshilli thotë se ky nuk është gabim administrativ. Ky është bllokim i drejtpërdrejtë i funksionimit të KKSH-së dhe i të drejtave të komunitetit shqiptar.
E njëjta logjikë është aplikuar edhe ndaj subvencioneve bujqësore, duke dëmtuar familjet dhe fermerët tanë. Të gjitha këto veprime dëshmojnë një strategji të qartë për të dobësuar kapacitetet tona institucionale dhe për të penguar çdo mbështetje që vjen nga Kosova.
KKSH-ja do të vazhdojë të mbrojë çdo të drejtë të shqiptarëve në Luginë dhe do të punojë ngushtë me institucionet në Prishtinë, Tiranë dhe me partnerët ndërkombëtarë, që këto pengesa të adresohen në nivelin politik dhe ndërkombëtar që meritojnë.




