Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, është publikuar raporti “Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025”, i cili e nxjerr Kosovën si vendi me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.
Indeksi Global i Krimit të Organizuar është një tregues që mat dhe rendit vendet bazuar në përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e tyre ndaj krimit, po ashtu vlerëson edhe aktivitetet kriminale të tilla si trafiku i drogës, trafiku i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, së bashku me aftësinë e një vendi për të luftuar këto kërcënime përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas rezultateve të këtij indeksi për vitin 2025, i cili mat 15 tregje kriminale, 5 lloje akterësh kriminalë dhe 12 blloqe të qëndrueshmërisë, të publikuar nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, Kosova vlerësohet me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor, me një mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 10.







