Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë si folës në panelin me temën “Impakti financiar i Sigurisë Kibernetike – investim apo shpenzim i domosdoshëm”, një temë jashtëzakonisht aktuale në realitetin tonë digjital.
Ai tha se siguria kibernetike duhet trajtuar jo thjesht si shpenzim, por si investim strategjik në të ardhmen, që garanton mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ruajtjen e të dhënave, funksionimin e institucioneve dhe besimin publik në sistemet tona digjitale.
Maqedonci bëri të ditur se në mars të vitit të kaluar është themeluar “Qendra Trajnuese për Siguri Kibernetike”, si dhe është formuar “Njësia Kibernetike në kuadër të FSK-së”, dy nisma kyçe që dëshmojnë përkushtimin tonë për të zhvilluar kapacitete profesionale, teknike dhe operacionale për mbrojtjen e vendit në hapësirën digjitale.
Sipas tij, forcimi i sigurisë kibernetike nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe domosdoshmëri kombëtare për garantimin e një të ardhmeje të sigurt, të qëndrueshme dhe të mbrojtur për qytetarët dhe vendin tonë.





