Sot shënohet një vit nga ngjarja e rëndë që tronditi komunën e Klinës, ku dy persona, Rexhep dhe Albison Shlivova, humbën jetën tragjikisht pas një sulmi me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi në mbrëmje, në një kafiteri në qendër të Klinës, më 13 nëntor të vitit 2024, ku viktimat që ishin familjarë mes vete, u qëlluan për vdekje nën rrethana ende të paqarta.
Sipas raportit të policisë, i pandehuri Jon Hoti nuk kishte shkëmbyer mesazhe të shkruara me viktimat Albison dhe Rexhep Shlivova, por ditën e ngjarjes kishte pasur një kontakt të shkurtër përmes një video-call me Albison Shlivovën.
Ky kontakt, sipas raportit, kishte ndodhur më 13 nëntor 2024 në orën 16:08:02 dhe kishte zgjatur vetëm dy sekonda, përmes aplikacionit Messenger të Facebook-ut. Ky detaj, i vogël por i rëndësishëm, është pjesë e hetimeve që kanë ndihmuar në zbardhjen e rastit.
Pas një procesi gjyqësor, i dyshuari Jon Hoti është dënuar me 24 vjet e 6 muaj burg, për vrasjen e dyfishtë të Rexhepit dhe Albisonit.




