Mësimdhënësi i gjuhës angleze Muhamed Hajredinaj është deklaruar i pafajshëm për akuzën se hodhi në shportë të mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin në seancën e sotme në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në pyetjen e gjykatësit nëse e ndien veten fajtor, ai u përgjigj: “Absolutisht jo”.
Aktakuza thotë se i pandehuri po ashtu ka larguar nga ora mësimore nxënësen e cila mbante këto simbole, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga shkolla për Ditën e Flamurit.
Më këto veprime, i pandehuri akuzohet se publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.




