Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj të cilës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë para pak ditësh për rastin e rezervave shtetërore, sot ka dalë në një konferencë për media, duke sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra dhe mënyrën e veprimit për sigurimin e rezervave shtetërore.
Ajo ka thënë se Prokuroria Speciale do të duhej të merrte parasysh faktin që kishin dështuar për tri herë procedurat e prokurimit, për të siguruar rezervat shtetërore përmes operatorëve ekonomik.
Hajdari tha se në atë kohë ishte jetike që të siguroheshin rezervat shtetërore meqë shumë shtete kishin ndaluar eksportin, duke përmendur edhe luftën në Ukrainë, si një prej arsyeve se pse ishte miratuar kërkesa për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim të rezervave shtetërore.
Sipas saj, shmangia nga procedurat lejohej edhe me ligj.
Hajdari ka deklaruar edhe se ka ngritur padi ndaj policëve hetues, duke pretenduar se provat e përfshira në këtë rast janë mbledhur në mënyrë të jashtëligjshme.
Ajo reagoi edhe ndaj deklarimeve të zyrtarëve të ministrisë, të cilët pretenduan se ajo i kishte ofenduar kur kishin tentuar të parandalonin shkeljet në procesin e rezervave shtetërore, duke i mohuar kategorikisht këto akuza.
Ndërkaq sa i përket mospropozimit të saj për ministre nga Albin Kurti, ajo tha se ka qenë vendim i marrë me dakordim të dyanshëm.




