Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Belgjikës në Kosovë, me rastin e shënimit të festës së Ditës së Mbretit, Madhërisë së tij, Mbretit Philippe.
Duke uruar të gjithë qytetarët e Belgjikës për këtë ditë të shënuar, kryeministri tha se Kosova dhe Belgjika ndajnë më shumë sesa thjesht miqësi, ato ndajnë vlera.
Më tej, ai theksoi se Belgjika ishte ndër të parat që artikuloi themelin ligjor dhe moral të ndërhyrjes humanitare të Perëndimit në Kosovë dhe ndër të parat që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovë në vitin 2008 dhe që atëherë, ka qenë një mbështetëse parimore dhe e vazhdueshme e sovranitetit dhe integrimit tonë euroatlantik.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj Belgjikës për miqësinë e saj të vazhdueshme, për angazhimin e saj brenda NATO-s dhe BE-së dhe për solidaritetin e popullit të saj, përfshirë diasporën tonë në Belgjikë.





