Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot ka refuzuar ankesën e tyre lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike.”thuhet në reagimin e PDK-së.
Tutje në reagim thuhet se PDK nuk do të ndalet dhe se do I shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës.
PDK thotë se hapi i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila është instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor.
“PDK është dhe mbetet në mbrojtje të votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës.”




