Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti sot të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesinë e Saj znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit në fushat e lehtësimit të tregtisë, forcimit të integritetit institucional dhe avancimit të kapaciteteve profesionale përmes programeve të asistencës teknike. Drejtori Llugaliu diskutoi për arritjet e deritanishme dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit me synim rritjen e transparencës, sigurisë dhe efikasitetit doganor.
Drejtori Llugaliu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet thelbësor për forcimin e kapaciteteve doganore dhe avancimin e standardeve të shërbimit për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
E Ngarkuara me Punë të Ambasadës së SHBA në Kosovë, Shkëlqesia e saj znj. Anu Prattipati. mirëpret përpjekjet që forcojnë tregtinë dypalëshe dhe rritjen ekonomike për të dy vendet tona.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar me reformat dhe modernizimin e proceseve, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.





