Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë reagon pas raportimeve se një nxënësi të ciklit fillor në Komunën e Graçanicës po i mohohet e drejta për të vijuar mësimin.
Sipas nënës së fëmijës, menaxhmenti i shkollës po e pengon vijimin e arsimit me arsyetimin se familjes së tyre i është ndërtuar një shtëpi e re nga Qeveria e Kosovës.
KOMF vlerëson se një veprim i tillë përbën shkelje serioze të të drejtave të fëmijës, në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse që garantojnë arsimim pa diskriminim për çdo fëmijë.
Organizata kërkon ndërhyrje të menjëhershme të komunës për të siguruar vijimin e mësimit, angazhim të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijës, si dhe hetim nga organet e drejtësisë për identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve.





