Burri që fillimisht u dyshua se e kishte rrahur për vdekje mbikëqyrësin e një ndërtese në Brooklyn të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është liruar pa asnjë akuzë, ka njoftuar policia të premten.
Burimet nga hetimet thonë se i dyshuari madje nuk kishte qëllim të vidhte ndonjë pako, siç u raportua fillimisht, shkruan ‘New York Post’.
Shqiptari Burim Havolli, 41 vjeç, refugjat lufte nga Kosova dhe mbikëqyrës i ndërtesës ku punonte prej 15 vjetësh, vdiq pas një përplasjeje me një burrë 30-vjeçar të mërkurën në mëngjes. Fillimisht u raportua se i riu e kishte goditur disa herë me telefon gjatë konfliktit.
Por burime zbuluan të premten se përplasja mes dy burrave ka qenë kryesisht verbale dhe megjithëse Havolli u godit me telefon, goditjet nuk i shkaktuan gjakderdhje.
Fillimisht, burime dhe fqinjë thanë se i riu po përpiqej të vidhte një pako të një banori, pasi ndërtesa kohët e fundit ishte përballur me vjedhje të tilla dhe telashe nga persona të jashtëm.
Por burimet thanë të premten se ai nuk po përpiqej të rrëmbente ndonjë pako. Të dy, si Havolli ashtu edhe i riu, telefonuan 911 pas përplasjes, thanë burimet.
Havolli, baba i martuar me tre fëmijë të vegjël, u dërgua me urgjencë në Qendrën Spitalore të Qarkut Kings, ku ndërroi jetë, sipas policisë.
Burri i marrë në pyetje për vdekjen e Havollit u lirua pa akuza pasi faktet e njohura ndryshuan, thanë policët.
Havolli mund të ketë pasur kushte të mëparshme shëndetësore, përfshirë ato të zemrës, që mund të kenë ndikuar në vdekjen e tij, por zyra e mjekut ligjor të qytetit do të bëjë përcaktimin zyrtar, thanë burimet.




