Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar vonesat në pagesat e mbi 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si pasojë e mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re.
Në letër, Osmani njofton se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga për shkak të mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re të Kuvendit.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-332 për vitin 2025, vetëm ky komision ka kompetencën për të miratuar alokimin dhe transferimin e mjeteve financiare për RTK-në. Mungesa e këtij komisioni ka bllokuar procedimin e fondeve, duke krijuar një situatë të rëndë sociale për familjet e punëtorëve.
Për këtë arsye, Presidentja bën thirrje që grupet parlamentare të gjejnë kompromis dhe të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme, përfshirë Komisionin për Buxhet dhe Financa, për të siguruar pagesat dhe stabilitetin institucional dhe financiar të vendit.
Ajo kërkon që deputetët të ndërmarrin sa më shpejt hapat e nevojshëm për të shmangur vonesa të mëtejshme në këtë proces jetik.
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës i është drejtuar me një letër Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku e falënderon për vëmendjen e kushtuar situatës së rëndë financiare në të cilën ndodhet RTK-ja, por njëkohësisht thekson se hapat aktualë nuk ofrojnë zgjidhje urgjente.
SPERTK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë urgjentisht, duke përdorur mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të bërë të mundur ekzekutimin e pagave dhe stabilizimin e situatës brenda RTK-së.
Në fund të letrës, Sindikata nënvizon se zgjidhja duhet të vijë para formimit të komisionit të përhershëm për Buxhet dhe Transfere, pasi çdo vonesë e mëtejshme vetëm e rëndon gjendjen e punëtorëve.





