Sindikatë e Punëtorëve të RTK-së kanë njoftuar opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor.
“Ne gjithashtu kemi theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve. Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre.”, thuhet në njoftim.
Sindikatë e Punëtorëve të RTK-së njofton se të hënën, nga ora 11:00 në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë njëorëshe duke ftuar të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta.




