Amir Abrashi i ka dhënë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Shqipërisë në moshën 35-vjeçare, duke mbyllur kështu një kapitull të artë që zgjati plot 12 vite.
Mesfushori nga Gjakova iu bashkua kuqezinjve në vitin 2013 dhe debutoi në fitoren 2-0 kundër Armenisë.
Që prej asaj dite, ai zhvilloi 51 ndeshje me Shqipërinë, duke shënuar një gol dhe dhuruar katër asistime, ndërsa u shndërrua në një prej liderëve më të rëndësishëm të brezit të tij.
Largimi i tij nga Kombëtarja shënon fundin e një epoke për skuadrën kuqezi, pasi Abrashi ka qenë pjesë kyçe e shumë sfidave historike, gjithmonë i dalluar për karakter, sakrificë dhe profesionalizëm.
Ai shpesh herë është cilësuar si “Zemra dhe shpirti i Kombëtares” falë sakrificës së madhe që ka bërë në mesfushë, derisa ka qenë pjesëmarrës në dy kampionate Evropiane me Shqipërinë, në vitin 2016 dhe në 2024.





