Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, gjatë qëndrimit të saj në Romë, ka marrë pjesë në një bashkëbisedim me studentët e Shkencave Politike të Universitetit “La Sapienza” në Romë, një prej institucioneve më të vjetra dhe më prestigjioze akademike në Evropë.
Gjatë këtij takimi Gërvalla ka prezantuar rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, përkushtimin e vendit ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe rolin që Kosova luan në arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Ajo theksoi se Kosova si shtet i ri, me një shoqëri të re dhe dinamike, është e përkushtuar ndaj vlerave dhe standardeve evropiane, prandaj integrimi i Kosovës në BE nuk është vetëm aspirate por edhe nevojë strategjike për vetë Bashkimin Evropian.
Ministrja Gërvalla vlerësoi interesimin e studentëve të La Sapienza-s për zhvillimet në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar bashkëbisedimin si të hapur, të frytshëm dhe me diskutime substanciale.
Ajo falënderoi Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Romë, znj. Nita Shala, Prorektorin Prof. Francesco Battaglia dhe Drejtoreshën e Departamentit të Shkencave Politike, Prof. Maria Cristina Marchetti, për organizimin, mikpritjen si dhe interesimin e studentëve.






