Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim personalitetet e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin dhe Rrustem Gecajn, duke vlerësuar lart kontributin e tyre të përhershëm për çështjen kombëtare dhe shtetin e Kosovës.
Në njoftimin e AAKs-së thuhet se Haradinaj ka uruar Harry Bajraktarin për marrjen e “Çmimit të Lirisë”, duke e cilësuar këtë vlerësim si plotësisht të merituar për angazhimin e tij dhe të familjes Bajraktari në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të Kosovës. Ai ka theksuar se kjo familje, brez pas brezi, ka punuar e sakrifikuar për vendin dhe për forcimin e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Postimi I plotë:
Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë gjithmonë shtyllë e fortë e kauzës sonë kombëtare, edhe në kohërat më të vështira. Një nga shembujt e shqiptarit të suksesshëm në botë, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, kanë qëndruar përherë pranë Atdheut, gjithmonë të angazhuar në çështjen shqiptare dhe në forcimin e miqësisë së përhershme midis nesh dhe Amerikës.
Harryn e urova për “Çmimin e Lirisë”, një mirënjohje e merituar për angazhimin e tij dhe të familjes Bajraktari për Atdheun, për të cilin kanë punuar dhe sakrifikuar brez pas brezi. Ndërsa bacës Rrustem Gecaj dhe vëllezërve tanë që i prita në takim, u shpreha falënderimin për kontributin e tyre të vazhdueshëm ndaj vendit. Këta bashkatdhetarë, bashkë me shumë të tjerë, kanë investuar në Kosovë, duke hapur vende pune dhe duke ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit.
I jam thellësisht mirënjohës Harryt, bacës Rrustem dhe gjithë vëllezërve tanë shqiptaro-amerikanë që vazhdojnë të jenë zëri ynë i fuqishëm në ShBA.





