Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Sfidat dhe përmirësimi i funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim”.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve të shumtë institucionalë vendorë e ndërkombëtarë, kryeministri Kurti tha se gjatë qeverisjes më shumë se katër vjeçare ndërtimi i politikave të cilat e lehtësojnë jetën dhe qasjen e komuniteteve joshumicë dhe e bëjnë të ndjeshme dorën e shtetit, kanë qenë lart në prioritetet tona.
Ai më tej shtoi se gjatë këtyre katër vjetëve janë zhvilluar 9 takime me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, andaj kjo tryezë është edhe një moment përmbledhës, për të parë pas në kohë, e për të shqyrtuar ato se çfarë kemi arritur si qeveri në këtë mandat, si dhe për të reflektuar nga takimet e bisedat e shumta me anëtarë të komuniteteve joshumicë.

Kryeministri me këtë rast theksoi se në bashkëpunim me komunat, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka realizuar 14 projekte infrastrukturore për komunitetet joshumicë, ka rritur subvencionet për pajisje efiçiente dhe ka nxitur punësimin përmes programit “Kosova Generation Unlimited” si dhe masave të punësimit si ajo për deri në 2,000 banorë të komunave Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, dhe veri i Mitrovicës.
Ndërkaq, shtoi se në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, kemi përkrahur 3,000 të rinj nga komunitetet joshumicë dhe Organizatat Joqeveritare në përfitimin e aftësive në menaxhimin e projekteve. Janë regjistruar 819 biznese të reja në komunat veriore të vendit, si dhe në infrastrukturë ndamë 3.9 milionë euro për rrugë në vendet e banuara me komunitetet joshumicë në këto komuna: Dragash, Graçanicë, Istog, Kllokot, Mamushë, veri të Mitrovicës, Novobërdë, Partesh, Prizren, Ranillug dhe Shtërpcë.
Përfundoi fjalën e tij duke shprehur se qeverinë do ta kenë përherë përkrah kudo, siç e kanë pasur edhe në këto më shumë se katër vite të mandatit qeverisës.
Kjo tryezë e rrumbullakët u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionit në Kosovë.





