Mbi 355 kilogramë narkotikë të konfiskuar janë shkatërruar sot në Prizren nën mbikëqyrjen nga Prokuroria, Gjykata dhe Policia.
Me autorizim të ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka marrë pjesë sot në procesin e shkatërrimit të një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike, të konfiskuara dhe sekuestruara në raste të ndryshme penale.
“Gjatë këtij procesi janë shkatërruar: 347 kg e 804.79 g marihuanë, 886.89 g kokainë, 7 kg e 788.7 g heroinë, 8 bimë kanabis, 100 kg + 37.7 g fara kanabisi, 155.7 g kërpudha narkotike, 160 euro monedha letre, 3 valixhe”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka njoftuar se, procesi është zhvilluar në një ambient të licencuar, duke respektuar standardet ligjore dhe praktikat e sigurisë, ndërsa ky aktivitet është mbështetur nga Home Affairs Programme of the European Union in Kosovo , i financuar nga Bashkimi Evropian.





