Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e së martës në gjykimin ndaj të akuzuarve për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” më 2007, ku kishin mbetur të vdekur dy persona.
Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.
Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M dhe P.S dhe ishin lënduar disa persona të tjerë.
Gjykatësi i rastit, Alban Ajvazi njoftoi se për seancën e sotme është ftuar për t’u dëgjuar dëshmitari Basri Sejdiu, mirëpo Gjykata nuk ka prova nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe është në dijeni të datës së gjykimit.




