Me ftesë zyrtare të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mori pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Italofonisë, e cila u mbajt sot në Romë.
Konferenca, e para e këtij formati, konfirmoi Italofoninë si një hapësirë të rëndësishme bashkëpunimi politik, kulturor dhe institucional, ku gjuha italiane shërben si urë lidhëse mes popujve, shteteve dhe komuniteteve.
Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla vuri në pah rolin vendimtar të Italisë në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes së ushtarëve italianë në KFOR që nga viti 1999, duke theksuar sigurinë, mbështetjen dhe stabilitetin që Italia i ka ofruar vendit tonë në vitet më të vështira. Ajo po ashtu nënvizoi solidaritetin e shoqërisë civile italiane në rindërtimin e Kosovës pas luftës, si dhe ndikimin e thellë të kulturës italiane, përfshirë rolin e komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar në Itali.
“Kosova dhe Italia do të vazhdojnë të qëndrojnë krah për krah në fushën e sigurisë, në mbrojtjen e demokracisë dhe në rrugëtimin euroatlantik” u shpreh ministrja Gërvalla.
Ajo nënvizoi po ashtu rëndësinë që Italofonia ka për rininë e Kosovës, si derë e hapur drejt arsimit, punës dhe Evropës, si dhe për mërgatën tonë në Itali, e cila mbetet një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve.
Në fund, Ministrja Gërvalla falënderoi Ministrin Tajani për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe për organizimin e kësaj konference që forcon më tej partneritetin strategjik mes dy shteteve.




