Funksionimi dhe funksionalizimi i organeve të komunave pas zgjedhjeve lokale ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjorë të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Ashtu si edhe takimet e mëparshme, edhe ky takim u organizua në bashkëpunim me OSBE-në.
Gjatë takimit u zhvillua një debat i gjerë dhe gjithëpërfshirës ndërmjet zyrtarëve, me fokus kryesor shqyrtimin e të gjitha procedurave ligjore dhe administrative që lidhen me konstituimin e organeve të Komunës.
Diskutimet përfshinë etapë pas etape procesin e formimit të institucioneve komunale, duke filluar nga procedurat për dhënien e betimit nga Kryetari i Komunës dhe anëtarët e Kuvendit Komunal, verifikimi i mandateve, mënyra e organizimit të seancës konstituive, zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, si dhe rregullat e funksionimit të mëtejshëm të tij.
Po ashtu, pjesëmarrësit adresuan në detaje kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve ekzekutive, duke analizuar rrjedhën e vendimmarrjes së ekzekutivit, procedurat e nënshkrimit dhe ekzekutimit të akteve komunale, si dhe harmonizimin e këtyre procedurave me kuadrin ligjor në fuqi.
Debati synoi të qartësojë të gjitha aspektet praktike dhe juridike të procesit të konstituimit, në mënyrë që funksionimi i organeve të Komunës të jetë i rregullt, transparent dhe në përputhje me standardet ligjore dhe institucionale.
Në përfundim të takimit përfaqësuesja e AKK-së i njoftojë anëtarët e Kolegjiumit se deri në fund të vitit do të mbahet edhe një trajnim, i cili do të organizohet nga Qendra e Trajnimit e AKK-se për pozitat udhëheqëse dhe një punëtori në fundvit ne bashkëpunim me OSBE-në, për një rezyme të aktiviteteve të punës gjatë vitit 2025 si dhe hartimi i planit të punës së Kolegjiumit për vitin 2026.




