Dymbëdhjetë të dënuar certifikohen në “Programin e Përgjithshëm Rehabilitues”;Shtatë të dënuar në programin rehabilitues “Menaxhim i Zemrimit”; dhe Katër të dënuar në programin rehabilitues “Biseda për Ndryshim”.
Në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë përfunduar me sukses programet risocializuese siç janë “Programi i Përgjithshëm Rehabilitues”, “Menaxhim i Zemërimit”, dhe “Biseda për Ndryshim”, ku gjithsej njëzet e tre të dënuar, ndër ta edhe shtatë të dënuar nga komunitetet jo shumicë, u certifikuan pas pjesëmarrjes aktive në sesionet e këtyre programeve.
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave morën pjesë Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm për Siguri, z. Besar Gashi, Drejtoresha e Departamentit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, znj. Trendelina Qorraj, si dhe Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, z. Rasim Selmani. Programet u zbatuan nga Lediana Shala-Govori, Muhamet Fazliu, Fadil Hyseni dhe Ibrahim Musa.
Këto programe luajnë rol të rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe risocializimit, duke u ofruar të burgosurave mundësinë të zhvillojnë aftësi jetësore dhe sociale, të reflektojnë mbi sjelljet e tyre, si dhe të përvetësojnë strategji të reja për menaxhimin e emocioneve, komunikimin dhe bashkëpunimin.
Ky certifikim përbën një hap të rëndësishëm drejt misionit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, riintegrimit të personave të dënuar në shoqëri si qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm.




